Etja për punonjës të huaj, më shumë sesa nevojë e shkaktuar nga shtimi i aktivitetit të bizneseve shqiptare, u provokua nga pagat e ulëta dhe mënyra e trajtimit të punonjësve shqiptarë. Eksperti i punësimit në Durrës, një nga qytetet që vit pas viti po shton me mbi 1000 numrin e punonjësve të huaj, tregon arsyet e këtij fenomeni.
“Gjithmonë është parë fillimisht si një zgjidhje për të reduktuar kostot në rritje të pagave dhe kërkesat që normalisht punëmarrësit kishin me kalimin e viteve. Por aktualisht është një zgjidhje e detyruar për të vazhduar dhe për të mbajtur gjallë biznesin apo sipërmarrjen në Shqipëri, për shkak të pamundësisë për të plotësuar vakancat dhe mungesat që tashmë ka tregu i punës apo edhe oferta e fuqisë punëtore në Shqipëri”, tregon Arbër Xhihani për A2 CNN.
“Mendoj se ka pasur një krizë besimi midis palëve, pra midis punëmarrësve dhe punëdhënësve, për shkak të një trajtimi jo dinjitoz. Për shkak të një oferte të madhe në tregun e punës, për sa u përket punëmarrësve, punëdhënësit jo gjithmonë ofronin kushte dinjitoze punësimi apo nivelin e pagave që normalisht duhej të rritej me kalimin e kohës. Duhej të kishte një trajtim të qëndrueshëm dhe zhvillim të një marrëdhënieje të qëndrueshme punësimi. Në një moment kur u gjendën në vështirësi, bizneset panë se nuk ishte më e lehtë të plotësonin nevojat në tregun vendas dhe mundësia e vetme mbeti ajo e importimit të fuqisë punëtore nga vendet e largëta”.
Sipas ekspertit, edhe pse prej të paktën shtatë vitesh në vendin tonë vijnë çdo vit mijëra punonjës të huaj, tregu i punësimit ende nuk është ngopur.
“Interesi edhe nga punonjësit e huaj për të ardhur në Shqipëri është në rritje. Kemi mbi 39 mijë leje qëndrimi dhe leje pune të lëshuara në Shqipëri. Kështu që shifrat tregojnë një rritje të konsiderueshme nga viti në vit dhe besoj se nuk është ende fundi, apo se nuk kemi arritur potencialin maksimal të punësimit të punonjësve të huaj”, tregon Xhihani.
Vetëm në qytetin e Durrësit, nga janari deri më tani, janë lëshuar 5298 leje për punonjës të huaj. Kjo shifër është me mbi 1000 punonjës më shumë se e njëjta periudhë të vitit të kaluar. (A2 Televizion)