
Task Forca për koronavirusin pranë Shtëpisë së Bardhë, raportoi për herë të parë në disa muaj për situatën në të cilën ndodhet vendi. Anëtarë të saj folën për ashpërsinë e virusit SarsCov2, ndërsa iu kërkuan amerikanëve që të ndërgjegjësohen për mbajtjen e maskës mbrojtëse. Ndërkohë presidenti i zgjedhur Joe Biden u takua virtualisht me guvernatorë të shteteve më të prekura e më të goditura nga pandemia, për të diskutuar mundësinë e masave të reja anticovid.
Për herë të parë në më shumë se 6 muaj, Task Forca për koronavirusin pranë Shtëpisë së Bardhë, bëri një raport të situatës pandemike në SHBA.
“Po shohim rritje të rasteve pozitive në mbarë vendin. Por po përballemi me këtë situatë me besim”.
Zv.presidenti foli për vaksinat që janë zhvilluar dhe punën e administratës Trump për shpërndarjen e saj në mbarë Amerikën.
Por doktoreshë Deborah Birx foli për emergjencën ku ndodhet vendi. “Jemi në momentin kur i bëjmë thirrje çdo amerikani që të rrisë vigjilencën”.
Birx është e para anëtare e Task Forcës që mban një maskë gjatë raportimit, teksa i kërkoi amerikanëve të bëjnë të njëjtën gjë çdo ditë.
“Për shkak të përhapjes së virusit i kemi kërkuar njerëzve që të mbajnë maskën kudo, edhe në ambjente të brendshme”.
Edhe presidenti i zgjedhur Biden u fokusua tek Covid-19. Ai diskutoi me guvernatorë të disa shteteve përmundësinë e vendosjes së detyrueshme të maskës në çdo vend.
“Nuk do ta mbyll ekonominë por dua të ngadalësoj virusin. Atë do të mbyll”.
Zotimi i Biden erdhi vetëm pak orë, pasi autoritetet shëndetësore rekomanduan ndalimin e udhëtimeve për ditën e falënderimeve e teksa numri i viktimave nga Covid, i ka kaluar 250 mijë.
Shefi i sëmundjeve infektive dr. Anthony Fauci tha se duhet të dyfishojmë masat kundër Covidit. (A2 Televizion)