
Kryeqyteti i Shqipërisë kremton 81-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazistë. Por këtë vit, kjo ngjarje e shënuar e gjen Bashkinë e Tiranës më të përçarë se kurrë. Ceremonia përkujtimore te “Partizani i Panjohur” është mbajtur nga kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani, në prani të përfaqësuesve të mazhorancës, drejtuesve të institucioneve dhe qytetarëve, shkruan A2 CNN. Zonja Ristani foli për lirinë, që sipas saj, nuk është një dhuratë që merret dhe tregtohet, por një vullnet që duhet mbrojtur.
Në mungesë të lirisë, Erion Veliaj, kryetari i rikthyer në detyrë nga Gjykata Kushtetuese, festën e Çlirimit e ka kujtuar në rrjetet sociale, nga qelia e paraburgimit ku ndodhet prej muajsh.
Në ceremoninë përkujtimore të Ditës së Çlirimit ishte e pranishme edhe Ogerta Manastirliu, drejtuesja politike e socialistëve për Tiranën. Megjithëse zgjedhjet në kryeqytet u anuluan, ajo mbetet kandidate për bashkinë në vitin 2027. (A2 Televizion)
