Në një bazë ajrore pranë Parisit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe ai francez Emmanuel Macron firmosën një marrëveshje për armët, të cilën Zelenski e cilësoi historike. Ajo synon të fuqizojë aviacionin e luftës dhe mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ndërsa parashikohet blerja e rreth 100 avionëve Rafale nga ana e Kievit.
Macron e priti mikun në bazën e Villacoublay, ku ishte përgatitur skenografia për firmën; pas dy krerëve të shtetit qëndronin dy flamuj të mëdhenj, i Ukrainës dhe i Francës, një avion luftarak Rafale, sistemi i mbrojtjes antiajrore SAMP/T i gjeneratës së re, dhe një sërë dronësh që raportohet të jenë pjesë e ujdisë.
Për Elizën bëhet fjalë për një marrëveshje afatgjatë, që do të shtrihet përgjatë 10 vjetësh dhe që synon të përmbushë nevojat e Ukrainës për ndërtimin e një flote prej të paktën 250 avionësh luftarakë, të përbërë nga Rafale francezë, por edhe Gripen suedezë dhe F-amerikanë.
“Do të jetë mbrojtja ajrore më e fuqishme, një ndër më të fuqishmet në botë”, tha Zelenski pas nënshkrimit të marrëveshjes me Macron, përcjell A2 CNN.
Prej disa javësh janë zhvilluar bisedime mbi mënyrën se si Franca mund t’i sigurojë më shumë mbështetje ushtarake Kievit, edhe pse kreu i Elizës përballet me paqëndrueshmëri politike dhe buxhetore, duke ngritur pyetjet se sa mund të bëjë realisht Franca.
Vizita e Zelenski në Paris vjen teksa Ukraina përballet me intensifikim të sulmeve raketore nga Moska, me 3 viktima të shënuara në Balakliia, në rajonin e Harkiv, në orët e para të së hënës.
Franca, së bashku me Britaninë, kanë shtyrë krijimin e një koalicioni prej 30 vendesh që do të dërgojnë trupa dhe asete ushtarake në Ukrainë ose përgjatë kufijve perëndimorë, pasi marrëveshja me Rusinë të arrihet. (A2 Televizion)
