Shqipëria ka hapur grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në. Vlerësime maksimale erdhën nga ana e instancave të BE-së për punën e bërë nga autoritetet shqiptare, por ato nuk harruan t’i kujtojnë Shqipërisë se sfida më e madhe mbetet mbyllja e grupkapitujve.
Fillimisht, ajo përgëzoi të gjithë punën e bërë nga autoritetet shqiptare për këtë rrugëtim, por Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin në BE, nuk harroi t’i kujtojë Shqipërisë punën jo të lehtë që e pret pas kësaj faze të lënë pas. “Hapi tjetër është që Shqipëria të përmbushë pikat e mbetura. Kjo nuk është e lehtë dhe as e kollajshme, ashtu si për çdo vend tjetër, por ju keni shumë vende krah vetes dhe Shqipëria po ashtu punon me opozitën, me shoqërinë civile dhe me sektorin privat”, tha ajo, përcjell A2 CNN.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë moment si krenari dhe përgjegjësi më të madhe për vendin tonë. “Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE-në dhe anëtarësimin në BE – më shumë se 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë”, tha ai.
Përtej lavdërimeve për punën e bërë nga ana e Shqipërisë, edhe Ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, theksoi gjatë konferencës se kapitujt u hapën, por puna kryesore dhe më e vështirë mbetet mbyllja e tyre. “Jeni shumë mirë, keni bërë punë, jeni frymëzues, por kujdes: keni shumë punë me mbylljen e kapitujve”, tha Bjerre.
Grupkapitulli i fundit që Shqipëria hapi ishte “Bujqësia dhe Kohezioni”. (A2 Televizion)
