
Ekonomia shqiptare do të vuajë për një periudhë afatgjatë pasojat e krizës së Covid-19. Një raport i fundit i Bankës Europiane të Investimeve e rendit Shqipërinë si një nga vendet më të ekspozuara ndaj goditjeve të pandemisë.
Sistemi i dobët shëndetësor evidentohet në raport si një nga faktorët që bën vendin më të prekshëm nga efektet e koronavirusit, një alarm i dhënë më herët edhe nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
Goditje të madhe në ekonomi pritet të japë edhe turizmi për shkak të varësisë së lartë si dhe dërgesat e emigrantëve.
“Vendet, ekonomitë e të cilave mbështeten shumë te turizmi përballen me rreziqe të larta. Pandemia dhe kufizimet mbi lëvizjen e njerëzve kanë goditur turizmin në shumë vende dhe një recesion global pritet të zvogëlojë të ardhurat nga turizmi. Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Mali i Zi bëjnë pjesë në grupin me cenueshmëri të lartë për rënien në turizëm dhe dërgesave të emigrantëve”, deklaroi eksperti për ekonominë Pano Soko.
Përballë krizës që ka marrë përmasa të mëdha, eksperti për ekonominë, Pano Soko, bën apel për masa emergjente duke orientuar fondet drejt sektorëve që ka goditur më rëndë pandemia.
Sipas raportit të Bankës Europane të Investimeve, një krizë e zgjatur në kohë do të vinte në rrezik edhe sistemin bankar në vend.
(A2 Televizion)