Pastrimi i parave në ndërtim, ligji i ri detyron agjentët imobiliarë të raportojnë rastet e dyshimta

Nga A2 CNN
16 Korrik 2020, 15:09 | Kronikë
Pastrimi i parave në ndërtim, ligji i ri detyron agjentët

Në raportin më të fundit të task forcës financiare mbi pastrimin e parave për Shqipërinë rezulton se sektori i pasurive të patundshme vlerësohet se paraqet një rrezik shumë të lartë për pastrimin e parave. Për këtë, Ministria e Drejtësisë, së bashku me atë të Ekonomisë, kanë përgatitur një ligj i cili detyron të gjithë agjentët e shitblerjeve të pasurive të patundshme të raportojnë rastet e dyshimta të pastrimit të parave.

Sipas ligjit, niveli i lartë i ekonomisë informale, kombinuar me përhapjen e lartë “cash”, përbën një rrezik për pastrim parash të cilat më së shumti investohen në ndërtim. Nëpërmjet projektit, i cili rregullon profesionin e lirë të agjentit, tarifat, si dhe mënyrën e veprimit në këtë sektor, parashikohet që në rastet kur ka dyshime se fshihen të dhëna për pastrim parash, ministri i Drejtësisë nis hetime.

Në një kohë që në Shqipëri investimi në pasuritë e patundshme njihet si një nga format më të përdorura nga grupet kriminale, licencimi i agjentëve imobiliarë pritet të ketë efektet e duhura në parandalimin e pastrimit të parave.

Një ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave, nënshkruan një memorandum për punën e përbashkët kundër këtij krimi dhe financimit të terrorizmit. Ndonëse 1 vit më parë, Policia sekuestroi 100 milionë euro asete, kryesisht prona të patundshme, një pjesë e madhe e tyre nuk u konfiskuan nga gjykatat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos