
Rusia po përgatitet të nisë një luftë të madhe në vitin 2029 ose 2030 në kontinentin evropian. Kështu paralajmëroi përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.
"Problemi është se, duke parë industrinë ushtarake të mbrojtjes së Rusisë, shohim që ata po rrisin prodhimin. Dhe vlerësimi ynë është se ata duan ta vazhdojnë këtë luftë. Ne mendojmë se nëse bëjmë presion të madh, rusët do të kenë nevojë për një pauzë. Por duhet të pranojmë se ata duan një luftë të madhe dhe po përgatiten që të jenë gati në vitin 2029 ose 2030 për të nisur një luftë të tillë të madhe në kontinentin evropian. Ne e shohim këtë si një sfidë shumë serioze. Mendoj se duhet të mendojmë si t’i ndalojmë tani në Ukrainë, por edhe të bëjmë gjithçka për të ulur kapacitetet e tyre. Të mos u japim para, të cilat ende mund t’i marrin nga energjia. Dhe të mos u japim armë. Kjo është çështja për të cilën duhet të mendojmë", shtoi Zelensky.
Postimi i Zelenskyt përsërit thirrjet e Kievit për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj eksporteve të saj energjetike që financojnë makinerinë e luftës së Moskës.
Komentet e presidentit ukrainas pasqyrojnë gjithashtu paralajmërimet e udhëheqësve evropianë se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një luftë në shkallë të gjerë në Evropë deri në fund të dekadës.
Këto frikëra janë bërë një fokus për anëtarët e NATO-s, të cilët kanë rritur angazhimet për shpenzime të mbrojtjes deri në pesë për qind të PBB-së.
Parlamenti Evropian ka propozuar përshpejtimin e ndalimit të plotë të importeve të karburantit rus, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Kërcënimi që paraqet Moska ka ndikuar gjithashtu në "Hartën e Rrugës për Gatishmërinë Mbrojtëse 2030" të Komisionit Evropian, e cila kërkon një qëndrim të fortë mbrojtës për kontinentin. Por ekzistojnë shqetësime për aftësinë e Evropës për t’iu përgjigjur agresionit rus brenda gjashtë viteve të ardhshme, siç e përshkroi Zelensky.
Një raport i Institutit Kiel në qershor të këtij viti vuri në dukje probleme me ritmin e ngadalshëm të riarmatimit të Evropës, si mungesën e koordinimit ndërmjet vendeve dhe pengesat në prodhim.
Raporti theksoi gjithashtu varësinë e tepruar të Evropës nga garancitë e sigurisë së SHBA-së.
Në rast se prioritetet amerikane ndryshojnë, duke pasur parasysh retorikën e presidentit amerikan, Evropa mund të mos marrë më mbështetjen nga Uashingtoni që ka pasur për dekada. (A2 Televizion)
