Arrestohet “bosi” serb i drogës në Spanjë, djali i ish-futbollistit të njohur të La Liga-s

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 11:24 | Bota

Arrestohet “bosi”  serb i drogës në Spanjë, djali i

Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile spanjolle ka çuar në shkatërrimin e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës në ishujt Balearikë. Në qendër të këtij grupi që vepronte në Mallorca dhe Ibiza qëndronte Stefan Milojević, djali i ish-sulmuesit të njohur serb Goran Milojević, ish-lojtar i Mallorcës dhe Celtës. Stefan, ish-sportist dhe luftëtar profesionist MMA, akuzohet si lider dhe financier i një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine dhe hashashi nga Evropa drejt Spanjës.

Hetimet, të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit në kuadër të operacionit “Enroque Bal Manso”, kanë zbuluar lidhje të rrjetit me mafiet ndërkombëtare, përfshirë kontakte për furnizime me armë zjarri, mes tyre AK-47. Autoritetet kanë sekuestruar 3200 kilogramë drogë, 1.54 milionë euro në para të gatshme dhe kanë arrestuar 76 persona, mes tyre shtetas spanjollë, serbë dhe shqiptarë, shkruan A2 CNN.

Ndër të arrestuarit ndodhet edhe Faustín Nogales, ish-shef i antidrogës në Policinë e Balearikeve, i cili dyshohet se bashkëpunonte me rrjetin kriminal, duke ndihmuar në manipulimin e çmimeve dhe në pastrimin e parave. Ai ndodhet aktualisht në burgun e Estremera në Madrid.

Sipas raportit të policisë, organizata kishte ndërtuar një strukturë të ngjashme me mafiet italiane, si ’Ndrangheta dhe Camorra, duke korruptuar zyrtarë të policisë, gjyqësorit dhe mediave për të marrë informacion mbi hetimet. Rrjeti kishte shtrirje ndërkombëtare dhe operonte me disiplinë të rreptë, ndërsa Milojević konsiderohet si “koka” e trafikut në zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos