
Partia Demokratike hapi pasditen e sotme fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Ishte tenori Kastriot Tusha, i cili çeli siparin me himnin kombëtar rreth orës 18:00, për t’u pasuar më pas me fjalën e kandidates për deputete në qarkun e Elbasanit, Flutura Açka, e cila apeloi për të ndrequr demokracinë, pasi përndryshe shkojmë në diktaturë. Sipas saj kjo është alternativa e këtyre zgjedhjeve.
Një nga gjërat më të dashura është kujtesa, për kujtesën shpresën dhe të vërtetën dua të flas sot. Kapërcimi nga vetmia te shumria e njerëzve nuk është e lehtë. Nuk ka qenë hezitim, por përgjegjësi për të thënë po, vetëm pak çaste për të vendosur. T’i thuash jo në kohërat si tona, nuk bën gjë tjetër vetëm se pohon postulatin e Dantes për vendin që kanë në ferr indiferentët për kohët e turbullta. Unë vendosa të mos isha indiferentë në kohëra kaq të turbullta. Më shtytë të shoh një botë që më ka bërë edhe më të ndjeshme se magjia e fjalës. Duke hyrë në zemër të demokracisë po zbuloj se çfarë i shtyn këta shqiptarë të thjeshtë të trokasin portë më portë që ndajnë me mua çdo ditë. Besoj se ajo shtysë është vetëm besimi te fitorja. Pas tyre janë familjarët e tyre që nuk kanë rëndësi se ngjyrë kanë por janë të denjë për një Shqipëri më të bukur se kjo sot. Nga çdo 3-4 porta që trokas një nuk hapet se kanë ikur jashtë. Vetëm mes të afërmve të mi kanë ikur 10 vetë se ishin të papunë dhe nuk kishin identitet. Mjekë, inxhinierë, profesionistë ikën sepse nuk kishin mundësi. Do t'ia dalim t'i kthejmë, vetëm duke ndrequr demokracinë. Ose ndreqe demokracinë ose shko në diktaturë kjo është alternativa e këtyre zgjedhjeve. Të fillojmë ta ndreqim që sonte demokracinë. Do të ndjej turp të jem e pasur në një vend të varfër. 29 vjet më pas, në të njëjtin front, si në 1990. Ëndrra e pakryer e tim biri për ta parë Shqipërinë në Europë”. (A2 Televizion)