Situata energjetike, reshjet përmirësojnë prurjet në kaskadën e Drinit

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2019, 16:03 | Ekonomi

Reshjet e fundit të shiut që kanë përfshirë vendin dhe veçanërisht ato mbi pellgun ujëmbledhës të lumit Drin kanë përmirësuar ndjeshëm situatën hidroenergjetike. Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, niveli i prurjeve në kaskadë ditën e hënë arriti në 525 m3/s.

Intensiteti i lartë i reshjeve ka krijuar nevojë për vëmendje të shtuar veçanërisht për Hidrocentralin e Komanit, të dytin në vend për nga madhësia, i cili ka një prurje 2.8 herë më të lartë se mesatarja në këtë periudhë.

Ndërkohë, HEC-i i Fierzës, që mban peshën kryesore të prodhimit në vend, aktualisht ka mbyllur portat dhe nuk po prodhon energji, për të rritur nivelin. Sipas KESH, deri në fund të muajit parashikohet një përmirësim i ndjeshëm i rezervës energjetike me rreth 150 GWh, apo rreth 2 ditë më shumë konsum.

Prodhimi më i lartë i energjisë do të krijojë një frymëmarrje edhe për arkën e OSHEE, i cili në 9 muajt e parë të vitit importoi rreth 127 milionë euro energji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos