PD paditi Lleshin, Bardhi: Ministri i Brendshëm, mbetje e komunizmit

Nga A2 CNN
15 Prill 2019, 13:42 | Politikë
PD paditi Lleshin, Bardhi: Ministri i Brendshëm, mbetje e komunizmit

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ishte sot në Prokurorinë Tiranës për padinë e Partisë Demokratike kundër ministrit Sandër Lleshaj dhe policisë për përdorimin "kriminal", siç e quan PD, të gazit lotsjellës në protestë.

Pas daljes nga Prokuroria, Bardhi u shpreh se ka dhënë fakte dhe prova të disponuara nga PD “mbi veprimet e kundërligjshme të policisë së shtetit, të cilët me urdhër politik kanë penguar qytetarët të protestojnë”. Ndërkohë, ministrin e quajti mbetje të komunizmit.

“Dua t’i bëj thirrje organit të Prokurorisë të mos bëhet shtojcë e policisë së shtetit, të ngrohet në lartësinë e shtetit. Nuk është një organ nën varësinë e ministrisë së Brendshme. Sot ka 40 qytetarë që janë në burg pa asnjë provë, nuk ka asnjë pamje filmike që kanë kryer akte të dhunshme dhe nuk ka asnjë hetim e gjykim ndaj atyre që kanë dhunuar qytetarët.

Apeli im është për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk kanë për ta kaluar Vettingun duke i shërbyer në mënyrë kriminale qeverisë. Fundi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që i shërbejnë në mënyrë kriminale qeverisë do të jetë i njëjtë me këtë qeveri.

Ministri i Brendshëm është një mbetje e kohës së komunizimit. Koha që protesta trajtohej si puç kushtetues ka përfunduar 30 vite më parë. Askush nuk do të mund të tremb qytetarët”, tha Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos