Teliti: Qeverisja në fuqi nuk i ka 83 mandate të ndershme

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2026, 23:50 | Politikë

Dorjan Teliti, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike debatoi me pedagogun Rezart Prifti mbi mungesën, sipas tij, të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Debati i zhvilluar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:

Teliti: Qytetarët duhet të gjykojnë. Që të gjykojnë qytetarët, po e marr si analogji, duhet që në këtë tryezë regjia të na e ndezë të katërve mikrofonin. Problemi cili është? Kur ne shkojmë në zgjedhje, mikrofon nuk kemi të katërt. Ka një megafon të madh mazhoranca në qeveri dhe ne të tjerët i kemi mikrofonët e vegjël, që na i heqin bateritë herë pas here. Një herë vjen horri, një herë të vjen i forti, një herë të hyn leku… Duhet të kemi mundësitë për të garuar në mënyrë të barabartë.

Prifti: Kush ju ka ndaluar juve?

Teliti: Momenti kur neve krijojmë kushtet që të gjithë të hyjmë në garë të barabartë me njëri-tjetrin dhe të garojmë me lidership, ekipe dhe programe, me aftësitë tona, aty pastaj të vendosë qytetari vetë. Kaq kërkohet.

Prifti: E kush do të vijë në qeveri tranzitore nga juve?

Teliti: Ta zgjedhë i gjithë faktori politik.

Prifti: Më vjen keq që PD-ja i dogji një kastë të rinjsh si puna jote për tetë vjet me radhë. Dikur përfshihesha dhe unë aty.

Teliti: Unë jam nga ata që edhe jam djegur, edhe jam pjekur. Jam nga ata që nuk tërhiqem dhe nuk dorëzohem. Kam ato besimet e mia, kam atë filozofinë time, me gjithë gabimet që mund të kem bërë dhe kusuret e mia, unë nuk dorëzohem. Besoj në diçka, dashtë Zoti e shohim dritën në fund të tunelit. Por, këtë e vendos qytetari. Tani, qytetari në besimin tim nuk është i lirë. Dhe nuk është vetëm besimi ynë, por edhe i raportit të OSBE\ODIHR-it që nuk janë zgjedhje të lira e të ndershme. Ne kërkojmë në këtë mënyrë qeverinë tranzitore. Nëse ti apo dikush tjetër mendon që ka një formulë më të mirë…

Prifti: Kush duhet të jetë qeveria tranzitore?

Teliti: Ka burra dhe gra që nuk janë të ekspozuar ekstremisht ndaj forcave politike, për t'ia besuar për gjashtë muaj, për një vit, menaxhimin e punëve të shtetit me një objektiv të rëndësishëm: krijimin e kushteve për zgjedhje normale si Kosova. Nëqoftëse ne nuk paskemi kaq burra dhe gra, kjo pastaj është relativizim i situatës. Të thuash që kjo Shqipëri, më pak se 2 milionë banorë, nuk paska 50 burra dhe gra të aftë për t’i besuar qeverisjen për gjashtë muaj, ky pastaj është mashtrim. Është të bëhesh palë me qeverinë e të thuash se “mirë i kemi këta hajdutët që i kemi”. Vota e kaluar, biem dakord që nuk është votë e lirë dhe e ndershme.

Prifti: Unë nuk bie dakord.

Teliti: Se ta thotë raporti i OSBE/ODIHR.

Prifti: Ata janë mashtrues.

Teliti: Po mirë, mendimi yt. Unë besoj, dhe ka shumë njerëz që besojnë, që aktualisht qeverisja në fuqi nuk i ka 83 mandate të ndershme. Ka ca mandate, por nuk i ka 83. Nuk i ka mandate për qeverisje, 71 e lart. Prandaj, dalin njerëzit që protestojnë, se po të bjerë qeveria aktuale e të ngrihet qeveria tranzitore, shkojmë në zgjedhje dhe nuk ka më protestë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos