PD pas disfatës, Basha mbrohet me krerët e degëve, Duma akuzon për garë të lëshuar

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 12:31 | Politikë
PD pas disfatës, Basha mbrohet me krerët e degëve, Duma akuzon

Grida Duma nuk u ndal vetëm tek kërkesa për dorëheqje të Lulzim Bashës. Nënkryetarja demokrate hodhi akuza për kreun demokrat se gjatë fushatës së 6 marsit, nuk ju përgjigj kërkesës së strukturave për të denoncuar atë që e cilësoi si aferë të Portit të Durrësit.

“Lulzim, keqpërdorimi që i bën zyrës së shtypit të PD-së ku jam nënkryetare dhe keqpërdorimi që po i bën institucioneve të partisë duke futur njerëz si ish-kandidati i “Librës” që e emërove në Durrës pa më pyetur mua si Drejtuese Politike apo dhe përfaqësuesit e kompanisë së Marrëdhënieve me Publikun, që i nise për t’i shërbyer vetëm vetes tënde dhe jo kandidatit, janë vetëm një pjesëz e keqpërdorimit të Partisë Demokratike. T’i kam shkruar këto gjatë fushatës, me dyshimin e plotë që me këto veprime gara ishte e “lëshuar”. Meqë ra fjala dhe ky kandidati i Librës që e vure shef shtabi dhe i gjithë shtabi të kërkojë për tre javë me radhë të vijë në Durrës dhe të denoncoje aferën e Portit të Durrësit - e refuzove në mënyrë kategorike”, shkruajti deputetja demokrate në rrjetet sociale.

Reagimi i nënkryetares Duma erdhi pas mbledhjes që Lulzim Basha zhvilloi me kryetarët e degëve.

Drejtuesi i fushatës së Luan Hotit në Durrës akuzoi deputetët për mosangazhim në fushatë.

“E dërguara politike zonja Duma ka ardhur një herë në 3 ditë. Publikoi foto pa kandidatin. Organizoi takim me gratë dhe u anashkalua takimi për një qokë familjare. Në numërimin e votave prania e deputetëve ishte zero. Në vend që të kërkonte dorëheqjen tuaj duhet të vinte në procesin e numërimit drejtuesja politike dhe deputetët. Kanë qenë vetëm strukturat e PD Durrës”, tha Rezart Thupi.

Kandidati i Rrogozhinës gjithashtu shfajësoi Lulzim Bashën për humbjen

“Partia Socialiste dhe Foltorja patën të deleguar që ndanin para. Ju më dërguat disa deputetë, por vetëm Dash Sula ka qenë në krah. Foltorja e dinte se nuk kishte shanse, por vazhdoi me shantazhe e blerje votash. Nuk ke faj ti që humba Rrogozhinën, mbaj përgjegjësi vetë dhe duhet të jetë përgjegjësi edhe e deputetëve që ishin. Nuk vihet në fushatë për foto”, u shpreh Ferdinand Saraçi.

Mbrojtje për Lulzim Bashën, kryetar të PD-së u dha edhe para mbledhjes nga disa prej kryetarëve të degëve, ndër ta edhe Agron Kapllanaj që ishte zotuar të jepte dorëheqjen nëse Shkodrën e fitonte Bardh Spahia i Komisionit të Rithemelimit të PD. 6 marsi do të jetë objekt edhe i mbledhjes së Kryesisë së partisë ku do të jetë me interes.

Deri tani Lulzim Basha gjeti strehë tek kryetarët e degëve pas kryqëzimit që ju bë në mbledhjen e grupit parlamentar nga deputetë e nënkryetarë të partisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos