
Partia Demokratike ka reaguar për nismën e ndërmarrë nga qeveria për të miratuar në Parlament një amnisti fiskale për emigrantët apo qytetarët që jetojnë në Shqipëri për të formalizuar paratë.
Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se, pavarësisht që qeveria i kishte premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se do ta rishihte këtë strategji, nuk po ndalet në atë që e quajti “ligjërimin e Lavatriçes më të Madhe të pastrimit të parave”.
“Gënjeshtarët, duan të bëjnë Amnistinë Fiskale për të inkriminuarit pikërisht atëherë kur vendi është i përfshirë në listën gri të MONEYVAL. Kur BE-ja ka përcaktuar që një nga parakushtet e Shqipërisë është edhe dalja nga kjo listë dhe lufta ndaj pastrimit të parave. Pak rëndësi ka për gënjeshtarët e ardhmja apo xhepi i shqiptarëve. Rëndësi ka që i gjithë pushteti i fituar përmes blerjes së votave, përmes të inkriminuarve që kërkojnë pjesën e tyre, të vazhdojë të jetojë me çdo kusht”, shkruan Tabaku në Facebook..
Tabaku shtoi se “sa më shumë thellohet kjo pandemi aq më shumë shqiptarët e kuptojmë se shteti i drejtuar prej tyre është një tigër prej letre”.
“Ata e kuptojnë përditë se sa të varfër janë, se sa të vjedhur janë, se sa të nëpërkëmbur janë. Në një kohë kur trajtohen si të huaj në vend të tyre kurse shteti duhet t’i trajtonte njësoj siç trajtohen shqiptarët në Itali, shqiptarët në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni apo dhe shqiptarët në Gjermani!”, shkruan Tabaku. (A2 Televizion)