
Partia Demokratike ka rikthyer thirrjet ndaj qeverisë që të miratojë sa më parë paketën social-ekonomike për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që po qëndrojnë në shtëpi dhe atyre në nevojë për të përballuar këtë situatë të vështirë.
“Është koha që Edi Rama të mos kërkojë sakrifica vetëm nga qytetarët. Për të përballuar qendrimin e qytetarëve në shtëpi, shteti duhet të rimbursojë të plotë pagën e tyre. Në vend që të bëjë mjekun, sanitarin, policin apo ushtarin, Edi Rama duhet të bëjë tani Kryeministrin! Të miratojë paketën social ekonomike, që përfshin, ndër të tjera:1. Riimbursimin e bizneseve, 2. Rimbursimin e pagës së punonjësve, 3. Ndihmën për të papunët dhe familjet në nevojë”, shkruhet në deklaratën e PD.
Më tej Selia Blu kritikoi dhe vendimin më të fundit të qeverisë Rama për të lejuar nga një afat 1 orë qytetarëve për të lëvizur me makinë në mëngjes dhe pasdite për të shkuar në punë. Sipas PD, ky virus nuk luftohet part-time.
“Lejimi i lëvizjes së automjeteve në mëngjes dhe 1 orë pasdite zgjidh vetëm lëvizjen me makinë të drejtorëve të Edi Ramës. Është një vendim që tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës dhe pandjeshmërinë e saj. Koronavirusi nuk infekton part time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë. Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet! Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë”, shton PD. (A2 Televizion)