
Shqipëria do të jetë vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s, por mbetet për t’u përcaktuar koha e zhvillimit të tij.
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama nga Dublini, ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian, raporton gazetarja Fjorela Beleshi.
“Shqipëria do të jetë vendi ku do të organizohet samiti i radhës. Çështja është se kur do të bëhet. Me siguri jo në vitin 2027, por nëse do të ketë një samit të radhës në vitin 2028, ai do të mbahet në Shqipëri”, u shpreh kryeministri.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një deklaratë për prestigjiozen “Politico”, bëri të ditur se Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë një format më fleksibël për organizimin e samitit, duke përfshirë shtyrjen e tij në një datë tjetër ose zhvillimin në mënyrë virtuale. Sipas "Politico" udhëheqësit e Aleancës kanë treguar hezitim për të marrë një angazhim konkret për mbajtjen e samitit në Shqipëri.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë qëndrim përmenden shpenzimet e ulëta të vendit për mbrojtjen, si dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara me presidentin amerikan, Donald Trump.
(A2 Televizion)