Pengmarrje në një sinagogë në Teksas, vritet agresori, kërkonte lirimin e “Zonjës Al Kaeda”

Nga A2 CNN
16 Janar 2022, 08:13 | Bota

Ka përfunduar pas 10 orësh, me lirimin e të gjithë personave, pengmarrja në sinagogën e Colleyville, të Teksasit.

Forcat speciale të policisë ekzekutuan rrëmbyesin, një person me theks të fortë britanik, i cili që prej fillimit të ngjarjes kishte kërkuar lirimin e Aaifa Siddiqui, neuroshkencëtares pakistaneze e njohur si "Zonja Al Kaeda", e dënuar me 86 vjet burg për terrorizëm.

Kriza në sinagogë u zgjidh falë një operacioni ku u përfshinë mbi 200 agjentë policie. Për burrin, detajet janë ende të pakta, përtej theksit të tij të fortë britanik. Ai hyri në sinagogë ndërsa po zhvillohej ceremonia e së shtunës dhe kërcënoi të pranishmit, gjithsej 4, përfshirë rabinin, duke thënë se ishte armatosur me bomba në çantën e shpinës.

Që në fillim ai bëri thirrje për lirimin e Aafia Siddiqui, e njohur gjithashtu si Lady Al Kaeda. Rrëmbyesi tha se ai ishte vëllai i gruas dhe fillimisht u identifikua nga disa media si Muhammad Siddiqui. Një avokat i Muhamedit dhe familjes Siddiqui e mohoi këtë gjë duke dënuar ashpër gjestin e çmendur.

Policia, forcat speciale SWAT dhe FBI rrethuan zonën për orë të tëra, duke mbajtur kontakte me rrëmbyesin, i cili ndërkohë i kishte kërkuar njërit prej pengjeve të thërriste një rabin të qytetit të Nju Jorkut për të kërkuar të shfrytëzonte lidhjet e tij dhe të favorizonte çlirimin e Siddiqui. Bisedimet mes burrit dhe negociatorëve vazhduan për orë të tëra, më pas u lirua një peng i parë.

Rreth orës 21:30 me orën lokale policia ndërhyri dhe liroi të gjithë pengjet e tjetër në sinagogë. Në një konferencë për shtyp pas aksionit, FBI dhe Policia nuk thanë detaje më të hollësishme, por thjesht konfirmuan se pengjet ishin në gjendje të mirë shëndetësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos