
Kryeministri Rama ka dalë kundër propozimit të deputetit socialist Niko Kuri, për përcaktimin e një kuote deputetësh për minoritetet, në mënyrë që përfaqësimi i tyre në parlament të jetë i garantuar
Pas mbledhjes në seli me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama tregoi dhe njëherë afeksionin që ka ndaj patronazhistëve, të cilët deklaroi se do t’i përdorë për çdo palë zgjedhje.
“Gjithmonë, patronazhistët janë një aset i pazëvendësueshëm jo vetëm i PS, por i gjithë partive që funksionojnë si të tilla dhe që fitojnë nga republikanët e demokratët në Amerike deri te çdo parti që është fituese kështu që nuk diskutohet që do të aktivizohen, pse mos të aktivizohen?”
Në pritje të dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore nga presidenti, në 6bashkitë e mbetura pa kryetarë, Kryeministri nuk duket se ka në plan veprime konkrete për të nxitur kreun e shtetit.
“Pse nga unë varet? Çfarë kërkese do të çojmë ne në presidencë kur presidenti i di shumë mirë detyrat e tij dhe pavarësisht se shpesh bën sikur nuk i di”.
Rama refuzoi të flasë për ndryshimet statutore që po hartojnë socialistët, duke ironizuar se këto çështje janë prioritare në selinë blu. (A2 Televizion)