
Koha përgatitjes dhe ndërhyrjes në merkato për skuadrat shqiptare ndërsa i afrohen përfaqësimit në Evropë këtë vit është e shkurtër si rrjedhojë klubet po nxitojnë për të përforcuar përbërjen.
Pas largimit nga Partizani, Bruno Telushi i është bashkuar rivalëve të Kukësit. Mesfushori 29-vjeçari është bashkuar skuadrës që po zhvillon fazën përgatitore në Tropojë dhe do të vihet sërish nën urdhrat e trajnerit Gega ashtu si në vitin kur u shpallën kampion te Partizani. Telushi ka firmosur për dy vite me Kukësin duke u kthyer në përforcimin e pestë të verilindorëve që do të sfidojnë Slavian e Sofias në Kupat e Europës.
Përforcimin e skuadrës vazhdojnë ta bëjnë edhe kampionët e vendit, Tirana, të cilët firmosën me Filip Najdovskin, një prej futbollistëve më të spikatur në kampionatin maqedonas. Najdovksi është futbollisti i dytë që bardheblutë rrëmbejnë nga klubi i Vardarit pas mbrojtësit Kristijan Toshevksi.
Goditje në merkato realizoi edhe Teuta. Skuadra durrsake e cila do të përballet në turin e parë të Europa League me Beitar Jerusalem konkretizuan transferimin e sulmuesit të Skënderbeut Blerim Krasniqi. Ish-futbollisti i Skënderbeut shihet si përforcim me shumë vlera për kampionët e Kupës së Shqipërisë, që kërkojnë gjithashtu të plotësojnë hapësirën e krijuar edhe në mesfushë nga largimi i ish-kapitenit Sherif Kallaku. (A2 Televizion)