
Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut iu është bashkuar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit duke e kundërshtuar ligjin e ri për Policinë e Shtetit dhe pikërisht nenet që i japin asaj të drejtën për të përgjuar pa marrë leje nga prokuroria dhe gjykata.
Komiteti i Helsinkit, por edhe disa shoqata të tjera të shoqërisë civile argumentojnë se këto nene prekin thellësisht privatësinë dhe lirinë e njeriut.
Po ashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se Komiteti Kombëtar për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar, cenon pavarësinë e organit të prokurorisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Të dyja këto pika janë bërë objekt diskutimi kohët e fundit pasi në të dyja rastet, pra edhe të përgjimeve nga policia, por edhe të ngritjes së një strukture që i vë nën ombrellën e ekzekutivit institucionet e pavarura si prokuroria, SHISH, janë po ashtu prekje e pavarësisë së institucioneve dhe shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit tërheq vëmendjen dhe shpreh shqetësimin për mungesën e një procesi konsultimi dhe gjithëpërfshirje me organizatat e shoqërisë civile, gjatë hartimit dhe diskutimit të këtyre dy akteve ligjore pjesë e paketës anti-KÇK. (A2 Televizion)