
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi mazhorancën, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për bllokimin e qëllimshëm të nismave ligjore të opozitës, duke mos u caktuar datë për shqyrtimin e tyre.
Këlliçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e katër nismave që synojnë shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Këlliçi e cilësoi bllokimin e nismave si cenim të të drejtave kushtetuese të opozitës, duke iu referuar edhe problematikave të evidentuara në Raportin e Komisionit Evropian për funksionimin e Kuvendit dhe kontrollin parlamentar.
"Kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste. Ju nuk mund t'i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private. Nuk mund t'i përdorni ato sipas interesave tuaja politike dhe as të përjashtoni opozitën nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese. E keni bërë këtë dhe për këtë arsye keni humbur besimin e qytetarëve. E keni bërë këtë dhe për këtë arsye keni marrë urrejtjen e studentëve. E keni bërë këtë duke menduar se pushteti dhe institucionet janë pronë e juaja. Por institucionet nuk janë pronë e askujt. Dhe fundi politik i kësaj mënyre qeverisjeje tashmë dihet". (A2 Televizion)