
Ndërtoi një ndër programet kompjuterike më të fuqishme të përgjimit në botë, por kompania izraelite kërkon të mos fajësohet. Grupi NSO, përgjegjës për softuerin Pegasus, thotë që faji për hakimin e smartphonëve të mijëra personave duhet të gjendet tek klientët.
“Të fajësosh kompaninë tonë është njësoj si të kritikosh një prodhues automjetesh sa herë që një shofer i dehur përplaset”, shprehet kompania.
Kompania izraelite po përballet me kritika të mëdha ndërkombëtare pas zbulimit të një liste me 50 mijë shënjestra potenciale përgjimi, përfshirë aktivistë, politikanë dhe gazetare. Në listë ishte dhe numri i presidentit francez, Emmanuel Macron, por që nuk është konfirmuar ende nëse ra pre e përgjimit.
“Nuk e merrni vesh nëse telefoni juaj është prekur pasi nuk ka asnjë shenjë, nuk klikoni gjëkundi. Është një sulm i padukshëm kundër demokracisë. Shikoni profilet e shënjestruara, gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, të gjitha ata njerëz që luajnë një rol të madh në shoqëritë e tyre, vetëm sepse informojnë opinionin publik, luajnë një rol ekonomik ose sepse kërkojnë të ndryshojnë sistemin politik”, tha Laurent Richard, themelues i grupit investigativ “Forbiden stories”
Pegasus ka prekur pajisjet iphone dhe android, duke u lejuar operatorëve të nxjerrin mesazhe, fotografi dhe emaile, të regjistrojnë telefonata dhe të aktivizojnë në mënyrë sekrete mikrofonët dhe kamerat.
Grupi NSO thotë se programi ishte ideuar të përdorej kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe se i është vënë në dispozicion vetëm ushtrisë, agjencive ligjzbatuese dhe atyre të inteligjencës nga shtete me rekorde të mira në fushën e të drejtave të njeriut. (A2 Televizion)