
Paralajmërimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga partia, Edmond Spaho e sheh si pasojë e sjelljeve dhe vendimeve individuale që krydemoakrati ka ndjekur ndër vite, duke e bunkerizuar Partinë Demokratike.
“Është kërcënim i shëmtuar nga Basha, nga një parti ku duhet të respektohet fjala e lirë”, thotë Spaho për A2 CNN.
Teksa për Ervin Salianjin, Lulzim Basha me këtë qëndrim vetëm ka respektuar statutin e demokratëve: “Të mbushësh sallat nuk tregon mbështetje të demokratëve. Basha ka ndjekur statutin e PD-së. Kush kërkon të bëjë protesta, tubime e mitingje është i lirë, por do të ketë vetëm një Kuvend për demokratët, në 18 dhjetor.
Spaho dhe Salianji janë të dy deputetë të Qarkut të Korçës, por flasin me shifra të ndryshme sa i përket delegatëve që kanë firmosur formularin për thirrjen e Kuvendit më 11 dhjetor.
“65-70% të delegatëve të Kuvendit kanë firmosur kërkesën”, thotë Spaho.
“Vetëm 1 e ka firmosur nga 56”, shprehet Salianji.
Njëri në krah të Berishës e tjetri në krah të Bashës, të dy kanë arsyet e veta në cilin prej dy kuvendeve do të marrin pjesë.
“11 dhjetori do të sjellë ndryshim, revolucion në PD”, thotë Spaho.
“11 dhjetori është miting, është mbledhje e ish-drejtuesve të partisë, quajeni si të doni ju. Kuvendi i demokratëve është në 18 dhjetor”, thekson Salianji.
Kjo ndarje në dy kampe që kanë sjellë zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike është parë si një rrezik për përçarjen e forcës më të madhe të së djathtës, ndonëse të dyja palët shprehen publikisht se kanë qëllim unifikimin e saj. (A2 Televizion)