
Mbrojtësi Mërgim Mavraj i dha “lamtumirën” zyrtarisht Kombëtares shqiptare, përmes një postimi në rrjetet sociale ku ai cilëson eksperiencën e tij 8-vjeçare me fanellën kuqezi si “emocione, sfida, sakrifica, rënie, ngritje dhe suksese më se të mjaftueshme për të skalitur në brendësinë time përjetime të rralla dhe të pashlyeshme”.
Mavraj pohoi se rrugëtimi që i ka mundësuar edhe aksesin në fazën finale të EURO 2016 në Francë, “më ka ofruar mundësinë që ta njoh dhe më mirë vendin tim, njerëzit e vendit tim, por dhe vetë veten time” dhe se vendimi vjen nga konstatimi se “ky fund është më se i lumtur”.
I lindur në Gjermani nga prindër me origjinë nga Istogu i Kosovës, Mavraj ka përfaqësuar Shqipërinë në 50 raste, duke shënuar 3 gola, kundër San Marinos, Armenisë dhe Francës. (A2 Televizion)