Përleshjet në Bjellorusi, BE dhe SHBA dënojnë dhunën policore

Nga A2 CNN
13 Gusht 2020, 10:30 | Bota
Përleshjet në Bjellorusi, BE dhe SHBA dënojnë dhunën

Qindra njerëz dolën sërish në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera në Bjellorusi mbrëmjen e së martës, në natën e tretë të protestave pas fitores së diskutueshme të presidentit Aleksander Lukashenko në zgjedhjet e së dielës.

Situata u tensionua edhe më shumë pas largimit nga vendi të lideres kryesore te opozitës Svetlana Tikhanovskaya, e cila sfidoi Lukashenkon në zgjedhje. Protestuesit ngritën barrikada në kryeqytet ndërsa përleshje u raportuan në shumë qytete.

Policia po akuzohet për brutalitet e mes të sulmuarve janë edhe gazetarë.  2 protestues kanë humbur jetën dhe rreth 200 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Të arrestuarit janë mbi 2 mijë.

Dhuna e forcave të rendit ka shokuar opinionin publik duke nxitur reagime të ashpra nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.  Brukseli deklaroi se zgjedhjet në Bjellorusi nuk ishin të drejta dhe transparente, ndërsa një takim i ministrave të jashtëm do të mbahet të premten për të diskutuar sanksione të mundshme.

65-vjeçari Lukashenko, i cili udhëheq vendin që prej 1994, i quajti mbështetësit e opozitës si dele të kontrolluara nga jashtë. Pikëpyetje janë ngritur pas largimit të lideres së opozitës. Tikhanovskaya ju drejtua Komisionit Qendror Zgjedhor për t’u ankuar mbi rezultatet dhe u ndalua nga policia për 7 orë.

Ka pretendime se ajo ishte shantazhuar, por përmes një videomesazhi nga Lituania, 37-vjeçarja tha se ishte larguar me dëshirën e saj, për të garantuar sigurinë e fëmijëve.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos