
Përmbytje rekord në Uashington, ku rreth 9 cm shi u regjistrua në vetëm dy orë. Uji mbuloi automjetet e vërshoi në stacionet e metrove dhe në katet përdhese të banesave. Nuk mbeti pa u prekur edhe Shtëpia e Bardhë.
Punonjësit u mobilizuan për largimin e ujit nga zyra e shtypit në krahun perëndimor. Përmbytjet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike, çka solli mbylljen e Muzeut të Arkivit Kombëtar. Nivel rekord i ujit u regjistrua në aeroportin kombëtar të Ronald Regan.
Situata të rrezikshme u krijuan në zona të ndryshme, ndërsa rrjedha e ujit që lëvizte me shpejtësi i ktheu rrugët në lumenj. Pamje dramatike erdhën nga një vendparkim në Arlington, një pishinë publike në Potomak dhe nga stacioni i metrosë në sheshin Virxhinia. (A2 Televizion)