
Zona e ish-Kënetës dhe fshatrat Mallkuç dhe Murqinë, janë zonat më problematike sa i takon pasojave të përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të orëve të fundit. Në zonën e ish-Kënetës, uji ka hyrë disa centimetra brenda banesave duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te familjet e prekura.
E njëjta situatë është edhe në rrugët e ish-Kënetës, të cilat janë të mbuluara nga uji. Një nga banorët e zonës shprehet se janë të lodhur duke u ankuar pasi prej dy dekadash askush nuk ka vënë dorë në atë zonë.
Përmbytje të tokave ka edhe në fshatrat e Mallkuç dhe Murqinë, si pasojë e daljes nga shtratit të lumit Ishëm. Edhe në këtë zonë përmbytjet janë të përsëritura.
Sipas banorëve të zonës, situata rëndohet si pasojë e mospastrimit të kanaleve kulluese.
Fatmirësisht, në zonat e përmbytura të qarkut të Durrësit nuk ka pasur emergjenca njerëzore, ndërsa dëmet materiale në banesa dhe në të mbjella janë të konsiderueshme. (A2 Televizion)