
3 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit, që po përpiqeshin të shpëtonin personat e bllokuar si pasojë e përmbytjeve në jug të Francës, humbën jetën, pasi helikopteri i tyre u rrëzua pranë qytetit të Marsejës.
Helikopteri EC145 ishte ne mision kërkim-shpëtimi në rajonin e Var, kur humbi kontaktet mbrëmjen e së dielës. Mjeti fluturues dhe 3 pjesëtarët e ekuipazhit u gjetën më pas pranë qytezës së Rov.
Një hetim ka nisur për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në një deklaratë ministri i Brendshëm Christophe Castaner i cilësoi 3 viktimat si heronj që dhanë jetën për të mbrojtur francezët.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rënda dhe të paktën 6 viktima në juglindje të Francës. (A2 Televizion)