
Britania e Madhe nuk do të lehtësojë masat e vendosura për të luftuar pandeminë koronavirus. Ministrat do të shtyjnë dhe me 4 javë të tjera izolimin e qytetarëve, ndërsa Dominic Raab do të drejtojë mbledhjen e emergjencave “Cobra”, për herë të parë që prej vendosjes së kryeministrit Boris Johnson nën përkujdesjen intensive.
Gjendja e tij po shkon drejt përmirësimit, e megjithatë nuk mundet akoma që të udhëheqë Britaninë në luftën kundër pandemisë Covid-19.
“Kryeministri mbetet në terapi intensive, ku gjendja e tij po përmirësohet. Mund t’iu them se ai ka lëvizur nga shtrati dhe ka ndërvepruar pozitivisht me ekipin mjekësor”, tha ministri i Financave në Britaninë e Madhe. Britania e Madhe raportoi mijëra raste të reja dhe numër tepër të lartë viktimash gjatë ditëve të fundit. Që prej shpërthimit të pandemisë më shumë se 7 mijë të infektuar me Covid-19 kanë humbur jetën ndërsa mbi 61 mijë janë prekur në total. Shpresat që shifrat të ulen, ndeshen me paralajmërimin e ekspertëve që piku i koronavirusit nuk ka ardhur ende. Festa e Pashkëve sjell një sfidë tjetër për autoritetet britanike, pasi qytetarët mund të thyejnë izolimin për të shkuar në plazhe apo për piknik në parqe. Policia u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura dhe veçanërisht distancimin social. (A2 Televizion)