
Analisti Lutfi Dervishi, në “Debat” me Alba Alishani, në A2 CNN, theksoi se “Kreu i Shtetit nuk duhet të ndërhyjë në betejën e brendshme të partisë më të madhe të opozitës”, duke iu referuar përplasjes mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për kreun e Partisë Demokratike.
“Kreu i Shtetit nuk duhet të ndërhyjë në betejën e brendshme të partisë më të madhe të opozitës. Ka një histori bashkëpunimi LSI-PD. Votat e LSI-së në 2005 bënë të mundur ardhjen në pushtet të PD-së, më pas edhe historia e Bashkisë Tiranë, por nuk lë shije të mirë që Presidenti të ndërhyjë në këtë betejë. Por, tani marrëdhëniet LSI-PD janë të ngrira që pas 25 prillit”, u shpreh Dervishi.
Më tej, Dervishi theksoi se “PD-ja nuk ka njerëz që të bashkojë të dyja palët”.
“PD-së i mungojnë tashmë si strukturat, edhe figurat, që mund të shikonin një mundësi të fundit për të qenë bashkë. Në krah të Foltores janë jo vetëm mbështetësit e Berishës, por edhe të pakënaqurit nga Basha. Në gjendjen e tanishme, nuk është më alternativë ndaj PS-së dhe prandaj po shikojmë një kryeministër që merret me afganët dhe ngrohjen globale”, tha Lutfi Dervishi. (A2 Televizion)