Njerëzit në Zelandën e Re ishin ndër të parët në botë që festuan mbërritjen e vitit të ri, 2022. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe munguan fishekzjarret shumëngjyrëshe, që u zëvendësuan nga spektakli i jashtëzakonshëm i dritave në Okland.
90 mijë drita LED ndriçuan qiellgërvishtësen “Sky Tower” dhe urën “Harbour”. Duke brohoritur “Mirë se vjen 2022”, qytetarë dhe turistë në Zelandën e Re shijuan pamjen, teksa dritat shumëngjyrëshe dhe ato me lazer pikturuan qiellin. Këtë vit, festimet për ndërrimin e viteve ishin reduktuar për shkak të pandemisë koronavirus.
Por, nuk ishte ky rasti për Australinë. Festa shpërtheu për të mirëpritur vitin e ri 2022 dhe qielli në Sidnej u ndriçua nga fishekzjarrët shumëngjyrëshe. Për spektaklin ikonin në urën “Harbour”, që zgjati 12 minuta, u përdorën 6 ton fishekzjarre, 25 mijë efekte vizuale, 9 mijë shpërthime ajrore, 80 mijë efekte piroteknike, përfshirë fishekzjarre të reja në formën e balenave, vorbullave dhe kubeve.
Ndër shtetet e para që kanë hyrë në vitin 2022 është edhe Koreja e Veriut. Vendi më i izoluar nga bota priti ndërrimin e viteve me një spektakël elektrizues. Mijëra persona u mblodhën në sheshin kryesor të Penianit, duke shijuar fishekzjarret shumëngjyrëshe.
Ndërkohë, vendi i parë që mirëpriti vitin 2022 ishte Kiribati, ishull në Oqeanin Paqësor, 15 orë përpara Shqipërisë. Ndërsa vendi i fundit që do të hyjë në vitin e ri do të jetë Ishulli Baker, në jug të Havait. (A2 Televizion)
Festimet në Okland (Zelandë e Re) Australia hodhi fishekzjarre 3 orë para mesnatës