
Për herë të parë që nga viti 1995, Shqipërinë evizitoi Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Thomas Bach mbërriti në Tiranë me ftesë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të inauguruar zyrat e reja të KOKSH në ambientet e Parkut Olimpik, ku u shoqërua nga kryeministri Rama.
Pas prerjes së shiritit dhe vizitës në ambientet e rinovuara, Thomas Bach u ndal me gazetarët, ku vlerësoi vizionin e lidershipit të ri të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, drejtuar tashmë nga Fidel Ylli.
“Jemi këtu me lidershipin e ri të Komitetit Olimpik Kombëtar dhe shohim dinamizëm të madh, shohim një vizion për të ardhmen e sportit në Shqipëri dhe kemi besim se populli shqiptar dhe atletët shqiptarë, veçanërisht ata olimpikë, mund të shikojnë drejt një të ardhmeje të shndritshme sepse gjithashtu shohim një aleancë të madhe”.
Aleanca për të cilën flet kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, është ajo mes KOKSH-it dhe Qeverisë, në respekt të përgjegjësive reciproke, nënvizon ai.
“I thashë Kryeministrit në një takim të frytshëm dhe të hapur se kjo është një recetë për sukses, për qytetarët dhe për sportin. Ndaj më shikoni të lumtur që jam këtu dhe shumë të lumtur të shikoj sportin në Shqipëri të lulëzojë në këtë mënyrë”.
Kryeministri Rama vuri theksin te projekti për rithemelimin e Lëvizjes Olimpike në shkolla.
Sipas Ramës, synimi është shkëputja e fëmijëve nga ekranet e smartphone-ve për t’i afruar drejt një stili jetese më të shëndetshëm, pranë sportit.
Kryeministri pohoi se ka biseduar me Bach edhe për fshatin e ri olimpik dhe projekte të tjera që tha se i përkasin të ardhmes. Më pas ata ndoqën disa aktivitete në kuadër të projektit të Lëvizjes Olimpike në shkolla, që do të mbështetet edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. (A2 Televizion)