Përvetësim i dokumenteve sekrete, Trump: Jam i pafajshëm

Nga A2 CNN
9 Qershor 2023, 11:16 | Bota
Përvetësim i dokumenteve sekrete, Trump: Jam i pafajshëm

Ish-presidenti Donald Trump, kandidat favorit i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 2024-s, ngarkohet me një tjetër aktakuzë edhe më të rëndësishme, pas asaj për falsifikim të të dhënave të biznesit. Prokurori i Posaçëm Jack Smith e ngarkon me 7 akuza për çështjen e përvetësimit të dokumenteve të klasifikuara, duke e bërë Trump të parin ish president në histori që akuzohet për krime federale.

Njoftimi e dha vetë manjati i pasurive të patundshme, i cili e quajti këtë një ditë të zezë për Amerikën.

“Fatkeqësisht ne jemi një vend në rënie, dhe prapë ata merren me një president popullor, një president që siguroi më shumë vota se kushdo tjetër në histori. Kjo përndjekje vijon prej 7 vitesh dhe ata nuk do të ndalen, pasi është ndërhyrje në zgjedhje e nivelit më të lartë. Kurrë më parë nuk ka ndodhur diçka e tillë”, tha Trump.

Avokati i tij, Jim Trusty tha për CNN se ish-presidenti kishte siguruar detajet e akuzave në një dokument të përmbledhur. Ato përfshijnë konspiracion, deklarata të rreme, pengim të drejtësisë dhe mbajtjen e pautorizuar të dokumenteve të klasifikuara, nën aktin e Spiunazhit.

76-vjecari është thirrur të dalë para një gjykate federale në Miami të Floridas pasditen e së martës, ku do të arrestohet dhe do të dëgjojë akuzat kundër tij.

“Po ai do të shfaqet në gjykatë. Ai e di se është i pafajshëm dhe se i gjithë procesi është i korruptuar dhe i politizuar. Prandaj ai nuk do t’i shmanget betejës”, u shpreh avokati Jim Trusty.

11 mijë dokumente u konfiskuan nga rezidenca e Mar a Lagos, së Trump në Florida, përfshirë edhe 100 të klasifikuara, pas bastisjes vitin e kaluar. Përvetësimi i dokumenteve top sekret, nga një zyrtar, përfshirë dhe president, është në shkelje të ligjit amerikan.

Javën e kaluar pati raportime se prokurorët kanë siguruar një regjistrim audio të Trump ku pranon mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në janar të 2021. Ekspertët ligjorë thonë se aktakuza nuk do të kufizojë aftësinë e Trump për të garuar sërish për presidencën.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos