Përvjetori i zbritjes në Hënë, projeksion i “Apollo 11” në monumentin e Uashingtonit

Nga A2 CNN
17 Korrik 2019, 16:13 | Teknologji

Misioni “Apollo11” në Hënë nisi më 16 korrik të 1969-ës dhe vetëm 4 ditë më pas, astronauti Neil Armstrong bëri hapat historikë.

Ekzaktësisht 50 vite më vonë, monumenti i Uashingtonit do të duket si anija kozmike “Saturn V”, të paktën gjatë natës. Autoritetet amerikane vendosën një projeksion me drita në madhësinë reale të raketës prej 110 metrash në objektin ikonë të Uashingtonit.

Projeksioni do të qëndrojë gjatë së mërkurës dhe të enjtes dhe është i hapur për publikun. Por eventet në nder të kësaj date historike nuk mbarojnë këtu. Për herë të parë, kostumi hapësinor i veshur nga Armstrong në misionin e tij në hënë është ekspozuar në publik në muzeun ajror dhe hapësinor të Shteteve të Bashkuara.

“Kontributi më i madh për shkencën dhe njerëzimin është se që prej atij momenti, njeriu që veshi këtë kostum, bëri bashkë kombin tonë dhe botën”, deklaroi zv/presidenti i SHBA, Pike Pence.  

 “Kostumi hapësinor është ndërtuar nga një sërë materialesh, me mbi 24 shtresa, shumë prej tyre ne nuk mund t’i shohim”, shtoi kuratorja e projektit, Cathleen Lewis.

Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin ishin dy njerëzit e parë që shkelën mbi sipërfaqen e Hënës. Ndërsa tani, NASA po synon dërgimin e personave atje brenda vitit 2024.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos