
Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Petro Koçi deklaroi në “Absolut 4” se subjekti ku ai bën pjesë synon të përmirësojë rezultatin në zgjedhjet e 25 prillit duke marrë plot 11 mandate në këtë zonë.
Koçi tha se qeveria Rama ka një bilanc më të pasur nga të gjitha qeveritë e mëparshme dhe kjo do të mundësojë një fushatë më të lehtë nga sa supozohet për mazhorancën.
“Vendosja e Rucit në vendin e 10 tregon besimin e PS pse jo për të marrë dhe 11 mandate në qarkun e Fierit. Në këto zgjedhje shkojmë me skemën e 2017. Mendoj se kësaj radhe është një sistem më i drejtpërdrejt dhe vota e qytetarit do të kthehet në mandate më të drejtpërdrejta.
Mendoj se qeveria Rama në 8 vite ka një bilanc qeverisës më të pasur nga të gjitha qeveritë e mëparshme. Fushata është shumë më e lehtë nga ç’mund të supozohet. Në marrëdhënie me qytetarët kanë kërkesa për zhvillime të mëtejshme, por ata e pranojnë që bilanci i zhvillimeve në Fier është i pasur”, tha Koçi.
Ndërkohë, Enkelejd Alibeaj u shpreh se PD-ja synon një rezultat më të mirë sesa viti 2009, kur demokratët morën 6 mandate. (A2 Televizion)