
Një tjetër performancë bindëse për Matvei Petrov, rusin që garon prej disa vitesh për Shqipërinë në kategorinë e kalit me doreza. Petrov fitoi garën e radhës së kampionatit të Botës 2021, që kishte takimin e radhës në Slloveni, duke mundur ukrainasin Illia Kovtun dhe kroatin Filip Ude.
Petrov është lideri i renditjes botërore në këtë specialitet, dhe pret takimin e fundit në Mersin të Turqisë, ku u shpall edhe kampion europe, për t’ u zyrtarizuar si lider botëror gjatë këtij viti, ku e vetmja “njollë” ishte mospjesëmarrja në finalet e disiplinës së kalit me doreza gjatë Olimpiadës së Tokios, falë një performance gjatë kualifikimit jo në nivelin e zakonshëm të atletit shqiptar.
Duhet thënë që jo të gjithë protagonistët e Lojërave Olimpike marrin pjesë në takimet e kupës së botës të organizuar nga Federata ndërkombëtare e Gjimnastikës, FIG, ndërkohë që me performancën në Koper të Sllovenisë, e vlerësuar nga juria me 14.650, gjimnasti i Shqipërisë do të renditej i pesti në Tokio, në vend të vendit të nëntë që e përjashtoi nga finalja. (A2 Televizion)