
Edhe në shkolla asgjë nuk do të jete si më parë. Rreziku nga përhapja e virusit do të ndryshojë sjelljen dhe në ambiente më sociale. Pak ditë nga fillimi i mësimit, mjekët tregojnë si duhet të jetë normaliteti i ri për fëmijët dhe mësuesit. Pëllumb Pipero thotë se shkollat nuk duhet të neglizhojnë udhëzimet e ekspertëve, ndërsa ai vetë nuk e mbështet vendosjen e maskës nga fëmijët e ciklit të ulët.
“Ky virus nuk përjashton asnjë. Të gjithë mund t’i infektojë. Fati i mirë është që moshat e reja nuk sëmurën, por ata e transmetojnë, por deri në moshën 12-13 vjeç është e dokumentuar që nuk e transmetojnë, ose e përhapin shumë pak. Mbështes opinion e specialistëve dhe kolegëve në botë që maska deri në moshën 12 vjeç nuk rekomandohet. Stafi dhe prindërit duhet doemos të respektojnë protokollet e komitetit të ekspertëve”, tha për A2 mjeku Pipero.
Nëse më parë, blerja e çantës, mbështjellja e librave, mjetet shkollore, ishin diskutimet e çdo familje në këtë periudhë, Covid-19 këtë vit ka shuar entuziazmin. Të gjithë janë përqendruar te masat dhe dyshimet se a mund të zbatohen si duhet. Pëllumb Pipero tregon se si duhet ta përdorin fëmijët maskën në shkolla. “Është shumë e rëndësishme që maska të mbulojë hundën, gojën dhe deri poshtë mjekrës. Do t’i këshilloja prindërit, mësuesit dhe nxënësit, të edukojnë njëri-tjetrin që mos e bëjnë zakon ta ulin maskën, se sa herë e ulin, aq herë bëhet e papërdorshme. Ta mbajnë deri sa të mbarojë mësimi”.
Fillimi i vjeshtës ka shënuar ulje të rasteve pozitive dhe rritje të të shëruarve. Infeksionisti Pëllumb Pipero bën thirrje për kujdes veçanërisht me hapjen e shkollave dhe fillimin e stinës së virozave. (A2 Televizion)