Planifikoi sulme terroriste në Shqipëri, dënohet me 7 vjet burg në Gjermani pjesëtari i IS-it

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 19:06 | Bota
Planifikoi sulme terroriste në Shqipëri, dënohet me 7 vjet burg

Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me shtatë vjet burgim një azilkërkues nga Taxhikistani për anëtarësim në grupin militant, të ashtuquajtur Shteti Islamik (IS).

Lajmi raportohet nga Radio Evropa e Lirë e cila citon prokurorët, sipas të cilëve i pandehuri 31- vjeçar, kishte planifikuar të kryente sulme në Gjermani dhe Shqipëri së bashku me një grup personash nga Taxhikistani.

Prokurorët akuzuan Ravshan B., mbiemri i të cilit nuk është bërë i ditur për shkak të ligjeve gjermane të privatësisë, si kreun e këtij grupi të dyshuar për formimin e një qelize terroriste.

Së bashku me një grup personash të tjerë nga Taxhikistani, 31-vjeçari shkoi në Shqipëri me porosinë e një rusi për të kryer një vrasje me pagesë 40 000 dollarëshe në mënyrë që të financonte qelizën terroriste të IS-it.

Operacioni në Shqipëri dështoi dhe ata u kthyen në Gjermani. Gjithashtu ky grup kishte planifikuar të vriste një individ afër Dyzeldorfit, i cili ishte kritik ndaj Islamit.

Ndër vendet e planifikuara për të sulmuar ishin bazat ushtarake amerikane në Gjermani.

Para vendimit të gjykatës, ky person bëri një dëshmi të pjesshme dhe kërkoi falje, duke thënë se i vjen "tmerrësisht keq për gjithçka".

Prokurorët federalë kishin kërkuar një dënim prej tetë vjet e gjysmë, ndërsa mbrojtja nuk u deklarua për kohëzgjatjen e dënimit, por hodhi dyshime në disa pika kryesore të aktakuzës.

Anëtarët e tjerë të grupit janë në paraburgim dhe po presin gjykimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos