“Po vdesim”, të sëmurët me Covid-19 tejmbushin spitalet në SHBA

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2020, 09:40 | Bota

Pasi goditi qytetet e mëdha të SHBA-së në pranverë, COVID-19 tani ka përfshirë Amerikën rurale dhe qytetet e vogla, duke depërtuar në çdo cep të vendit. Sipas intervistave të Reuters me personelin e kujdesit mjekësor dhe zyrtarët e shëndetit publik, në shumë spitale mungojnë shtretër, pajisje dhe personel klinik, duke përfshirë specialistë dhe infermierë.

Rastet e reja me COVID-19 dhe shtrimet në spital po rriten në shkallë vendi. Shifrat e rasteve të raportuara mes Ohajos dhe Dakotas janë më shumë se dyfishi i çdo rajoni tjetër në Shtetet e Bashkuara, sipas Projektit të Ndjekjes COVID, një ofrues i të dhënave të drejtuara nga vullnetarët. Nga mesi i qershorit deri në mes të nëntorit, rastet e raportuara në Midwest u rritën mbi njëzetfish.

Për javën që përfundoi më 19 nëntor, Dakota e Veriut raportoi mesatarisht 1769 raste të reja ditore për 1 milion banorë, ndërsa Dakota e Jugut regjistroi gati 1500 për milionë banorë, Wisconsin dhe Nebraska rreth 1200 dhe Kansas gati 1000. Edhe në javën më të keqe të Nju Jorkut në prill, me biznese të mbyllura dhe panik që mbërtheu publikun, shteti asnjëherë nuk arriti mesatarisht më shumë se 500 raste të reja për 1 milion banorë. Kalifornia kurrë nuk arriti të kalojë 253.

Zyrtarët e spitalit në Midwest thanë për Reuters se janë në kufij të kapaciteteve. Shumica janë përpjekur të rrisin disponueshmërinë, duke vendosur shumë pacientë në një dhomë të vetme dhe duke u kërkuar punonjësve të punojnë me orë më të gjata.

Ndërsa rastet rriten në shumë shtete, punonjësit e mjekësisë thonë se ata shpesh përballen me një sfidë tjetër për të bindur pacientët dhe udhëheqësit lokalë që sëmundja duhet të merret seriozisht dhe nuk është një mashtrim siç thonë demokratët.

Presidenti Donald Trump shpesh ka mbajtur tubime sup më sup në Midwest dhe gjetkë dhe i ka trajtuar maskat si çështje personale. Edhe pse ai nuk u rizgjodh sërish në krye të Shtëpisë së Bardhë, gjasat që situata të ndryshojë nuk janë aq të dukshme.

COVID-19 ka marrë më shumë se 256 000 jetë në Shtetet e Bashkuara. Shkalla e vdekshmërisë së virusit ka rënë, pasi mjekët kanë mësuar më shumë rreth sëmundjes dhe vaksinat e zhvilluara nga Moderna Inc, Pfizer Inc dhe të tjerë mund të dalin në treg në fillim të vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos