Pogradec, po shfaroset pylli me gështenja

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2020, 13:13 | Aktualitet

Në vendin tonë nuk kanë të ndalur prerjet e pyjeve dhe këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as ky pyll me gështenja në të ashtuquajtur zonë e mbrojtur, në Zërvaskë të Pogradecit, apo siç njihet ndryshe edhe si fshati Gështenjas, pikërisht për shkak të pyllit me gështenja.

Vetë banorët e fshatrave i dëmtojnë , ndërkohë që krahas masave nga administrata e zonave të mbrojtura (Adzm), ata ende nuk janë ndërgjegjësuar për t’ u kujdesur për këto pemë.

Gani Bego, specialist i Adzm Korçë

Më shumë se gjysma e kundërvajtjeve të konstatuara nga administrata e zonave të mbrojtura i përkasin pikërisht pyllit me gështenja në Zervaskë.

"Në peizazhin tokësor të Pogradecit, ka rreth 600 hektarë pyjesh me gështenjë, dhe rreth 50% të kundërvajtjeve janë pikërisht për dëmtimet ndaj pyllit te gështenjës", thotë Gani Bego, specialist i Adzm Korçë.

Edhe nga ana e administratorit të fshatit jepet një apel që banorët të mos dëmtojnë pyllin me gështenja.

Seladin Çapollari, kryeplaku i Zërvaskës

 “Prerja e gështenjave na sjell shumë shqetësim, i bëj thirrje bashkëfshatarëve të mos presin më pemët, por t’ i mbrojnë ato, se janë një pasuri e fshatit”, apelon për A2 kryeplaku i Zërvaskës, Seladin Çapollari.

Fenomeni i prerjes së pyjeve bëhet më shqetësues në dimër, ku pemët e prera përdoren edhe për ngrohje nga fshatarët e zonës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos