Po shkakton një valë tjetër polemikash, libri i ri i gazetarit të njohur amerikan, Bob Woodward, që opinioni publik botëror mban mend si një nga zbuluesit e çështjes “Watergate” në SHBA.
Libri i quajtur “Rage” (Tërbim) nuk është ende në shitje, por faqet e para të paraqitura mjaftojnë për të ndezur opinionin publik. Në një seri intervistash me presidentin Trump, ky i fundit ka rrëfyer se ai ishte në dijeni për rrezikshmërinë e COVID-19, javë më parë se në territorin amerikan të shfaqej zyrtarisht virusi pandemik.

Trump i ka rrëfyer gazetarit se ka minimizuar fillimisht pasojat e koronavirusit “për të mos krijuar panik në popullsi”, por që vdekshmëria 5-herë më e lartë se ajo e gripit ishte e njohur nga shkencëtarët dhe nga ai qysh në shkurt. Gjithsesi, Trump mbron vendimin e tij duke thënë se është detyrë e një presidenti të krijojë siguri në shtetin që drejton.
Kandidati për president, Joe Biden, ka reaguar ashpër pas këtij rrëfimi. “Është një tradhti ndaj popullit amerikan, një mospërmbushje e rëndë e detyrave të tij. Trump është një i paaftë”, deklaroi demokrati.

Në të njëjtën linjë me Biden me sa duket radhitet edhe ish-kreu i Pentagonit, gjenerali, James Mattis, që në libër cilëson Trump si "të rrezikshëm" dhe "jo të aftë për detyrën që mban". Libri përmban edhe disa letra që Trump i ka dërguar liderit koreano verior Kim Jong-un. (A2 Televizion)