
3 vite më parë kreu i Task Forcës së krijuar në Prokurorinë e Tiranës, Dritan Rreshka kërkoi që struktura e drejtuar prej tij të bënte përgjime brenda 48 orëve atëherë kur ndodhte vepra penale dhe të shmangeshin burokracitë.
Për të realizuar një veprim të tillë në Task Forcën e prokurorisë së Tiranës u kërkua dhe punësimi i disa oficerëve të policisë gjyqësore të cilët do të bënin përgjimet. Oficerët duhej të ishin pjesë organike e prokurorisë.
Qëllimi në atë kohë, i cili edhe legjitimohej për shkak se përgjimet bëheshin nga organi i akuzës ishte për të shmangur korrespondencën me policinë, veprim i cili edhe mund të dekonspironte përgjimet apo dhe vetë hetimin.
Ndonëse kërkesa e prokurorisë së Tiranës në atë kohë nuk u vu kurrë në zbatim duket se tashmë diçka të tillë kërkon ta bëjë vetë policia ndërsa sqarimi i ministrit të Brendshëm është i njëjtë me propozimin e akuzës 3 vite më parë.
Ndryshimet e ligjit për Policinë e Shtetit janë ende në fazë diskutimesh, ndërsa SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kërkojnë riformulim të ndryshimeve. Dy organet e pavarura nuk mund të jenë pjesë e një komiteti të ekzekutivit, përgjimet nuk mund të bëhen nga drejtuesit e policisë, ndërsa dhe vetë termi procedim policor nuk mund të qëndrojë pasi çdo procedim kërkon autorizim nga prokurori. (A2 Televizion)