Policia e Kosovës bastis banesat e dy zyrtarëve të lartë, sekuestrohen shuma të mëdha parash

Nga A2 CNN
14 Korrik 2023, 14:12 | Kosova
Policia e Kosovës bastis banesat e dy zyrtarëve të lartë,

Policia e Kosovës ka kryer një operacion blic, ndërsa mësohet se janë bastisur banesat e dy zyrtarëve të lartë, F.M. dhe H.M., ndërsa ka sekuestruar edhe një shumë të konsiderueshme parash.

Mediat lokale raportojnë se pronat e bastisura janë të Faruk Mujkës, kryeshef i “Ibër Lepencit” dhe Hysen Muzilukajt, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera është gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë eurosh (60.000)”.

Prokuroria Speciale e Kosovës

Prokuroria Speciale shtoi se lidhur me këtë rast, në maj të vitit 2022, kishte marrë informacione rreth dyshimeve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga këta dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Në fillim të këtij muaji, ndaj dy të dyshuarve ishte ngritur kallëzim për “keqpërdorim të detyrës apo autoritet zyrtar”. Sipas Prokurorisë, akuzat kanë të bëjnë me kohën sa të dyshuarit ishin pjesë e qeverisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut më 2021. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos