Sërish përmend lidhjen me Rusinë, Vuçiç mbron Vulin: Sanksionet, përgjegjësi e imja

Nga A2 CNN
14 Korrik 2023, 10:01 | Kosova
Sërish përmend lidhjen me Rusinë, Vuçiç mbron

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbrojti sërish mikun e tij Aleksandër Vulin, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kreu i shtetit tha se është përgjegjësia e tij fakti që Vulin është në listën e zezë, pasi sipas tij nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Vuçiç nuk pranoi të tregonte nëse do ta shkarkonte drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion.

“Nëse ne do të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, ata nuk do të vendosnin sanksione ndaj Vulinit. Po e them atë që më është thënë, që është: vendosni sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të ketë sanksione ndaj askujt”, ishte deklarata e Vuçiç për televizionin serb, Pink.

Presidenti serb refuzoi të pranonte arsyetimin e Departamentit Amerikan të Thesarit për vendosjen e sanksioneve, që Vulin është përfshirë në afera korruptive dhe trafikim droge. “Nëse ata ofrojnë ndonjë dëshmi të vlefshme, ne do ta ndjekim penalisht Vulinin. Por, këtu nuk ka asgjë, situata me Rusinë është problemi”, përfundoi Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos