Pas grushteve në Kuvend, Kosova miraton rritjen e pagës minimale

Nga A2 CNN
14 Korrik 2023, 07:56 | Kosova
Pas grushteve në Kuvend, Kosova miraton rritjen e pagës minimale

Ndonëse në një seancë të tensionuar dhe me përplasje fizike, Kuvendi i Kosovës vijoi punën deri në orët e vona të së enjtes, duke miratuar disa projektligje tepër të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Një prej tyre ishte dhe ai i rritjes së pagës minimale, vendim ky që prek një numër shumë të madh qytetarësh në Kosovës.

Me 60 vota pro dhe një abstenim, deputetët e Kosovës ranë dakord të rrisin pagën minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto.

Megjithatë, ky ligj ka shkaktuar kundërshtime të mëdha në të kaluarën te veteranët e luftës, që nuk ishin të përfshirë në rritjen e pagës minimale dhe miratimi i tij pritet të shkaktojë sërish protesta.

Sherri masiv në sallën e parlamentit, ditën e djeshme, nisi kur në foltore po qëndronte kryeministri Albin Kurti. Fillimisht, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi hoqi një imazh tallës për shefin e qeverisë të ngjitur pranë pankartës me mbishkrimin në serbisht “Zdravo”, që nxiti reagimin e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

Ky i fundit lëshoi ujë në drejtim të Kurtit, por edhe Bislimit. Zëvendëskryeministri reagoi duke lëshuar një shishe në drejtim të tij, duke bërë që të shpërthente një valë dhune ku u përfshinë deputetë të shumtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos