Edhe këtë 5 maj, politika përkujton e ndarë Dëshmorët e Atdheut. Në ceremonialin zyrtar ishin fillimisht Presidenti Meta, Kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj e përfaqësues të mazhorancës, ato të cilët zhvilluan homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Që rreth orës 10:00 të ditës së sotme, zyrtarë të shtetit dhe politikës, veteranë dhe të afërm të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste. Ndërsa, kreu i opozitës dhe përfaqësues të Partisë Demokratike kryejnë homazhe pas tyre. Presidenti Ilir Meta i përcolli edhe një mesazh politikës shqiptare. Meta kërkoi reflektim përmes dialogut politik, si e vetmja rrugë që të çon drejt së ardhmes. “Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e tyre, por edhe një ditë reflektimi për të vendosur në radhë të parë interesant e vendit për të ardhmen e tij europiane, të stabilitetit, përmes dialogut, bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht. Të nderojmë ashtu si duhet kujtimin e atyre që kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Presidenti Meta. (A2 Televizion)
Politika nderon dëshmorët e ndarë, Meta: Reflektim përmes dialogut politik
