Klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia pret Tiranën në Shkodër me synimin për 3 pikë

Nga Dea Kozma
24 Tetor 2026, 11:58 | Futboll

Java e tetë e Kategorisë Superiore sjell një fundjavë me përballje të rëndësishme, ku vëmendja kryesore shkon në Shkodër, aty ku Vllaznia dhe Tirana do të përballen në klasiken e futbollit shqiptar. Një duel me histori, rivalitet dhe mbi të gjitha me shumë rëndësi për dy skuadra që vijnë me objektiva të ndryshëm në këtë fazë të kampionatit.

Për Vllazninë, kjo ndeshje është një tjetër provë në një sezon që deri tani nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Kuqeblutë renditen në vendin e nëntë, me vetëm pesë pikë pas shtatë javësh, ndërsa kanë arritur vetëm një fitore.

Tashmë, nën drejtimin e trajnerit Çaba Laszlo, shkodranët kërkojnë të reagojnë dhe të shfrytëzojnë faktorin fushë për të ndryshuar situatën. Përballë do të jetë Tirana e Dean Klafuriç, që vjen në Shkodër me synimin për të marrë pikë të plota dhe për të ruajtur ecurinë pozitive të javëve të fundit.

Klasikja luhet të shtunën, në orën 18:30, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Po të shtunën, në orën 13:30, Partizani përballet me Skënderbeun, ndërsa Laçi pret Vorën. Në orën 18:30, në Durrës, Teuta kryesuese do të kërkojë të vijojë ecurinë e shkëlqyer ndaj AF Elbasanit. Durrsakët kanë grumbulluar 19 pikë dhe kryesojnë renditjen, të ndjekur nga Egnatia me 18 pikë.

Java mbyllet të dielën me një tjetër përballje që premton rivalitet. Dinamo City pret Egnatian në “Elbasan Arena”, në orën 18:30. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos