Politikat kundër emigrantëve, Britania mendon tërheqjen nga konventa për të drejtat e njeriut

Nga A2 CNN
9 Gusht 2023, 16:06 | Bota
Politikat kundër emigrantëve, Britania mendon tërheqjen nga

Britania e Madhe mund të tërhiqet nga konventa për të drejtat e njeriut, pjesë e së cilës ka qenë për 70 vjet, në mënyrë që të çojë përpara politikat e ashpra të migracionit te bllokuara nga gjykatat.

Kryeministri Rishi Sunak, kërkon të deportojë në Ruanda, këdo që hyn ilegalisht në Britaninë e Madhe, por plani është përballur me një sërë sfidash ligjore.

Kjo ka bërë që disa konservatorë të kërkojnë largimin nga konventa europiane për të drejtat e njeriut, në mënyrë që ta kenë më të lehtë të implementojnë planin.

Ministri i emigracionit, Robert Jenrick tha se qeveria do të bëjë gjithçka të nevojshme që politikat të zbatohen, kur u pyet mbi mundësinë e tërheqjes nga konventa. Megjithatë ai këmbëngul se plani nuk bie ndesh me të.

Pavarësisht nënshkrimit të një ujdie mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës për sistemimin e emigrantëve atje në prill të 2022-shit, asnjë deportim nuk ka ndodhur deri më tani, ndërsa pritet një tjetër sfidë ligjore në gjykatën e lartë.

Shefja e Jenrick, sekretarja e shtetit për çështjet e brendshme, Suella Braverman e ka shprehur me herët dëshirën për të tërhequr Londrën nga konventa, të cilën ndihmoi të hartohej dhe nënshkroi në  vitin 1953. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos