“Portreti i pambaruar”

Nga A2 CNN
26 Mars 2022, 11:15 | Aktualitet
“Portreti i pambaruar”

Filmi artistik “Portreti i pambaruar”, në fillim u përcoll si një realizim nën titullin “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, me regji të Namik Ajazit, me skenar të Ruzhdi Pulahës, me drejtor fotografie Nino Celeste.

Lajmi u përhap shpejt, që kur nisi të xhirohej. Sepse ky film joshte jo vetëm me histori dashurie në kohë komunizmi, por edhe sepse Remo Girone mbërriti në Tiranë. Që atëherë, lajmi se një aktor italian po xhironte në një produksion shqiptar e bënte edhe më europian filmin. Aktori Remo Girone, së bashku me aktoren Victoria Zinny, interpretojnë prindërit e vajzës. Kastit të aktorëve shqiptarë, që nga Alfred Trebicka, Gulielm Radoja, Raimonda Bulku dhe Mehdi Malkaj i bashkohet edhe një djalë i ri që jeton në Firenze, Antonio Kodrinaj, të cilit i është besuar roli kryesor, ai i Artur Erzenit.  

Beatrice Aiello, një aktore e re me perspektivë, është në rolin e protagonistes, atë të vajzës së ambasadorit italian. 

Beatrice, mirëseerdhet sërish në Tiranë dhe urime për këtë realizim kinematografik. Dua ta nisim bisedën me hapin e parë që ju hodhët drejt këtij filmi, me audicionet apo me leximin e parë të skenarit. Si u bëtë ju heroina e këtij produksioni? 

Fillimisht, kam takuar Namik Ajazin, regjisorin e këtij filmi dhe Alfred Trebickën që ishte së bashku me të për të përzgjedhur në audicion aktorët e këtij filmi. Ishte qershori i vitit 2018, shumë vapë, ishte verë. Unë kisha nxituar për në audicion, isha jo në gjendjen time më të mirë. Kisha nxituar dhe prapë shkova me vonesë. Thuajse 50 vajza kishin konkurruar përpara meje për këtë rol, por që kur hyra ndonëse e tensionuar, kur pashë se si po më shikonin Ajazi dhe Trebicka, i gjithë tensioni u bë aq ndjesi pozitive sa gjithçka u kthye në një audicion që po e shijoja shumë. Ata më shihnin me sy të ndritur dhe unë e kuptova që isha shumë brenda kësaj historie që në takimin e parë. Nuk e di nëse fizikisht duhet të isha paraqitur ndryshe, po dyshoja, por përballë dy artistëve e ndjeva që audicioni po shkonte shumë mirë. Ishte si njëlloj magjie që më bëri ta ndieja rolin që në fillim. Realizova dy pjesë dhe besoj se ajo që ishte më dramatike më dha rolin që kam sot. Kur përfundova të dyja pjesët, kam shkuar menjëherë në tualet për t’u qartësuar me veten dhe emocionet që ndieja. Isha e mbushur me ndjesitë e një personazhi që e doja pa e luajtur ende rolin. Dhe që aty e kam kuptuar që audicioni shkoi shumë mirë. Sepse përpara se të dilja nga audicioni, Alfred Trebicka m’u afrua dhe më puthi në ballë. Më vonë, mësova se që nga ai moment ai nuk ka patur asnjë dyshim që rolin do ta kisha unë. Si një aktore ishte një emocion i jashtëzakonshëm, që më vinte si një rol protagonist pas disa përvojave në teatër dhe projekte të tjera kinematografike, por ky ishte një rol kryesor që më lidhte edhe me një botë tjetër, me Shqipërinë komuniste. 

Sa e njihje Shqipërinë komuniste dhe sa e njohe përmes kësaj historie dashurie? 

Nuk e njihja Shqipërinë. Dija pak çfarë ishte komunizmi, por jo se e njihja komunizmin, sidomos në Shqipëri. Historitë e dashurisë, kjo histori e vërtetë më tregoi një anë tjetër të komunizmit, atë që lë gjurmë të thella edhe te ndjesitë e njerëzve, te historitë e pafajshme. Kam studiuar për një periudhë të gjatë edhe mbi ato vite kur zhvillohet kjo histori në Shqipërinë komuniste dhe shpresoj ta kem realizuar mirë në film, atë që kam mësuar gjatë kësaj kohe. Por, për mua ka qenë një përvojë fantastike sepse historia është shumë e rëndësishme. Ndonëse kinemaja është e kuruar në çdo sekondë dhe aktori ka shkëlqimin e vet, është historia e rëndësihme dhe kjo është një histori që më ka bërë të ndihem plot. 

Kur mbërritët në Tiranë për të xhiruar filmin, thuajse dy vite më parë, në një nga vilat e kryeqytetit, keni takuar edhe një nga heronjtë e vërtetë të kësaj historie. Keni takuar një zotëri që në vitet ’80 dashuroi vajzën e ambasadorit italian. Ai priste në trotuarin tjetër të shihte kush ishte Carla në film. Ju e takuat dhe ai ju tregoi se ju po luanit rolit e Carlës së tij, rolin e vajzës për dashurinë e së cilës ai përfundoi në burg. Si e keni përjetuar ju takimin me heroin e vërtetë të kësaj historie? 

Ishte një takim i rëndësishëm për mua. Shumë i rëndësishëm. Ne aktorët kemi për detyrë që çdo histori personale të mund ta sjellim përmes ekranit të madh, po qoftë edhe përmes teatrit një histori që t’i flasë të gjithëve dhe sado personale të jetë për dikë, kjo histori duhet t’i flasë të gjithëve. Unë kisha kohë që punoja me personazhin tim, t’i jepja zë, të kuptoja dhe të aktroja për një dashuri të guximshme që del kundër të gjithëve. Kisha kohë që punoja për këtë ndjesi që sfidon edhe frikën dhe nuk më ndodhi ta takoja heroin e vërtetë përpara. Kur ky takim ndodhi, kur kishin nisur xhirimet dhe unë gjatë rrugës sime artistike takoj Ernestin. Kam parë këtë burrë me sytë e një fëmije. Kur më pa e kujtoj fare mirë, ishte një burrë që ishte kthyer në adoleshent papritur. I kishte sytë e përlotur teksa më shihte. Më kishte ndjekur teksa xhiroja me veshjet e asaj kohe, me makinat e asaj kohe. Ishim pranë vilës së Enver Hoxhës dhe siç duket, emocionet për të ishin të pashmangshme. U përlot, po bashkë me të edhe unë, sepse sytë e tij kishin një vështrim që duket sikur koha nuk i kishte prekur. Ernesti më mbushi edhe mua atë ditë plot emocion. Më përqafoi me admirim dhe m’u duk se të dy ishim në një epokë tjetër. Përlotja e tij e bukur ishte sikur një shërim për ato plagë të së shkuarës. Dukej sikur historia e tij dhe ankthi i atyre ditëve po kurohej me realizimin e filmit. 

Dhe faleminderit për realizimin e këtij filmi Beatrice!

Në premierën e këtij filmi nuk mungon edhe Antonio Kodrinaj, një djalë i ri, por në këtë film me një portret fantastik që bashkë me Beatricen përcjellin emocionet e një dashurie të dënueshme. Antonio Kodrinaj është një djalë nga Shkodra që është larguar i vogël nga Shqipëria, por që të rikthehet në kinemanë shqiptare e ka pjesë të portofolit të tij artistik. Pavarësisht se ka punuar në Firence ku ka jetuar, në Shtetet e Bashkuara apo në Toronto e vende të tjera europiane, Kodrinaj thotë se kinemaja shqiptare është gjithnjë joshëse për të dhe për më tepër është një nga ata djemtë që i ka rrënjët të thella në Shqipëri, ndonëse synon karrierën artistike edhe jashtë. 

Ky film mbërriti si homazh jo vetëm për ato 7 histori dashurie që kushtonin disa vite burg për të rinjtë që guxonin të ndiqnin zemrën, por edhe si një homazh për aktorin Guljelm Radoja, që në film bashkë me Raimonda Bulkun interpretojnë prindërit e Artur Erzenit, djalit që dashurohet me Carlën, vajzën e ambasadorit. 

Brenda dy ditësh, filmi u kuotua shumë shpejt me 8 pikë, nga 10 të mundshme dhe pritshmëritë, sipas regjisorit, janë të mëdha për rrugëtimin artistik të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos